Dyzet hadithet e Neveviut 📖

Nga emiri i besimtarëve Ebu Hafse Umer ibn-ul-Hattabit, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë:

“E kam dëgjuar të Dërguarin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke thënë:

‘Veprat janë sipas qëllimit dhe çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim. Prandaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për shkak të All-llahut dhe të dërguarit të Tij, shpërngulja e tij është për All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Ndërsa, shpërngulja e kujt është të fitojë disa të mira të kësaj bote ose të martohet me ndonjë femër, ai nuk do të fitojë tjetër përveç çka ka pasur për qëllim.’

(Këtë e transmetojnë dy imamë muhaddithë: Ebu Abdullah Muhammed ibn Ismail ibn Ibrahim ibn el-Mugireh ibn Berdize el Buhari dhe Ebul-Husejn Muslim ibn el-Haxhaxh ibn Muslim el-Kushejrij el-Nejsaburi në dy Sahihet e tyre, të cilat konsiderohen dy përmbledhjet më të sakta të shkruara të haditheve.)

Nga Umeri, radijall-llahu anhu, gjithashtu transmetohet se ka thënë:

“Një ditë ishim duke ndejur te i Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kur u duk një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zeza. Në të nuk hetohej shenja e udhëtimit dhe askush prej nesh nuk e njohëm.

U ulë pranë të Dërguarit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke i mbështetur gjunjët e vet në gjunjët e tij, i vendosi duart e veta në kofshën e tij dhe tha:

‘O Muhammed, më trego ç’është Islami?’
I Dërguari, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tha: ‘Islami është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër, përveç All-llahut, dhe se Muhammedi është i dërguar i Zotit;
ta kryesh namazin, ta ndash zekatin, ta agjërosh ramazanin, ta vizitosh Ka’ben nëse ke mundësi!’

Ai tha: ‘Të vërtetën e the!’ Ne u çuditëm: po e pyet dhe po ia vërteton.

Ai tha: ‘Më trego, ç’është imani?’ (Pejgamberi) tha: ‘Ta besosh Zotin, Engjujt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij, Ditën e fundit, dhe të besosh në caktimet e Tij të të mirës dhe të keqes.’

Tha: ‘Të vërtetën e the.’
Tha: ‘Më trego ç’është ihsani?’ (Pejgamberi) tha: ‘Ta adhurosh Zotin sikur e sheh Atë, sepse edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai vërtet të sheh ty.’

Tha: ‘Më trego ç’është çasti (i fundit, dita e shkatërrimit)?’ (Pejgamberi) tha: ‘Për këtë i pyeturi nuk di më shumë se ai që pyet.’

‘Më trego mbi shenjat e tij?’ Tha: ‘Kur robëresha t’i lindë vetes zonjushë, kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të mjerë, si garojnë në ndërtimin e godinave të mëdha.’

Pastaj shkoi, kurse unë mbeta i habitur.

Pastaj (i Dërguari) tha: ‘O Umer, a e njeh atë që më pyeti?’ Thashë: ‘All-llahu dhe i Dërguari i Tij më së miri e dinë.’ Tha: ‘Vërtet ky ishte Xhibrili, erdhi t’ua mësojë fenë tuaj.’”

(Muslimi)

Nga Ebu Abdurrahman Abdullah ibn Umer el-Hattabi, radijall-llahu anhuma, transmetohet se ka thënë:

“E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke thënë:

‘Islami ngritet mbi pesë (shtylla): 1. të dëshmuarit se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i dërguar i Zotit, 2. në kryerjen e namazit, 3. në dhënien e zekatit, 4. në të vizituarit e Ka’bes, 5. dhe në agjërimin e Ramazanit.’

(Buhariu dhe Muslimi)

Nga Abdurrahman Abdullah ibn Mes’udi, radijall-llahu anhuma, transmetohet se ka thënë:

“Më ka treguar i Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili flet të vërtetën dhe i besueshëm është:

‘Vërtet, çdonjëri nga ju formohet në përbrendësinë e nënës së tij për katërdhjetë ditë si pikë (nutfetun), pastaj bëhet e varur (alekatun) për të njëjtën periudhë, pastaj bëhet copë mishi (mudgha) për të njëjtën periudhë. Më pas dërgohet meleku që ia fryn shpirtin (ruh) dhe ka urdhër të shkruajë katër gjëra: 1. nafakën (rizkun) e fëmijës, 2. jetëgjatësinë (exhelin), 3. veprat, 4. dhe në botën tjetër – nëse do të jetë i fatshëm apo i pafatshëm. Pasha All-llahun, përveç të cilit nuk ka zot tjetër, disa nga ju do të punojnë vepra si njerëzit e xhennetit, deri kur ndërmjet tij dhe xhennetit të jetë një hendek i vogël; megjithatë, do ta arrijnë atë për shkak të asaj që kanë shkruar. E disa nga ju do të punojnë vepra si njerëzit e zjarrit deri kur ndërmjet tij dhe zjarrit të jetë një hendek i vogël; megjithatë, do ta arrijnë dhe do të hyjnë në të.’”

(Buhariu dhe Muslimi)

Nga nëna e besimdrejtëve Ummi Abdullahu Aisha, radijall-llahu anha, transmetohet se ka thënë: "I Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: 'Kush vepron për këtë çështjen tonë atë që nuk është nga ajo, ajo është e refuzuar'." (Buhariu dhe Muslimi) Sipas transmetimit të Muslimit: "Kush vepron diç që nuk është në pajtim me çështjen tonë, ajo (vepër) është e refuzuar."

Nga Ebu Abdullah en-Nu’man ibn Beshiri, radijall-llahu anhuma, transmetohet se ka thënë:

“E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke thënë:

‘Vërtet, e lejuara (hallalli) është e qartë, por edhe e ndaluara (harami) është e qartë. Ndërmjet tyre janë gjërat e dyshimta, të cilat shumë njerëz nuk i dijnë. Kush mbrohet nga gjërat e dyshimta, e ka siguruar në besim dhe nder; ndërsa kush bie në gjërat e dyshimta, ka rënë në të ndaluarën—ngjashëm sikur bariu që e ruan kopenë rreth kullotës së ndaluar, por në çast kopeja mund t’i ikë dhe të kullosë aty.

Çdo sundues ka kullotën e vet të ndaluar për të tjerët, kurse kullota e ndaluar e All-llahut janë ndalesat (haramet) e Tij. A nuk është në trup një organ, që nëse është i shëndoshë, i shëndoshë është i gjithë trupi, e nëse prishet, prishet i gjithë trupi? Ajo organ është zemra!’”

(Buhariu dhe Muslimi)

Nga Ebu Rukajje Temmim ibn Evs ed-Darijje, radijall-llahu anhu, transmetohet se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Feja është këshillë.”

Ne thamë: “Për kë (o i Dërguari i Zotit)?”

Ai tha: “Për All-llahun, Librin e Tij, të dërguarin e Tij, për imamët (krerët) e muslimanëve dhe njerëzit e rëndomtë prej tyre.”

(Muslimi)

Nga Ibn Umeri, radijall-llahu anhuma, transmetohet se i Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Më është urdhëruar t’i luftoj njerëzit deri sa të dëshmojnë se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i dërguar i All-llahut, të falin namaz dhe të japin zekat.

Kur ta bëjnë këtë, do të fitojnë nga unë sigurinë për jetën dhe pasurinë e tyre, nëse janë në pajtim me Islamin, dhe llogarinë e tyre do ta japin para All-llahut të madhëruar.”

(Buhariu dhe Muslimi)

Nga Ebu Hurejre Abdurrahman ibn Sahri, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke thënë: 'Ç'u kam ndaluar, largohuni nga ajo, kurse ç'u kam urdhëruar, punoni nga ato sa të mundeni, sepse asgjë nuk i ka shkatërruar ata që kanë qenë para jush, përveç shumë pyetje të tepërta të tyre dhe mosnënshtrimi i tyre pejgamberëve të tyre." (Buhariu dhe Muslimi)

Nga Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

‘Vërtet All-llahu i madhëruar është i mirë dhe nuk pranon përveç mirë, dhe vërtet All-llahu u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar të dërguarve.

I Madhëruari ka thënë: “O ju të dërguar, hani gjërat e mira dhe punoni mirë.” I Madhëruari ka thënë: “O ju besimdrejtë, hani gjërat e mira me të cilat u kemi furnizuar.”

Pastaj përmendi njeriun që kishte udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura e të pluhurosura dhe e shtriu duart kah qielli: “O Krijues, o Krijues!” Kurse ushqimi i tij ishte haram, pija e tij haram, veshmbathja e tij haram, dhe ushqehej me haram. E si do t’i pranohej lutja e tij!’”

(Muslimi)

Nga Ebu Muhammed el-Hasan ibn Alijj ibn Ebi Talibi, nipit të të Dërguarit të All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe rejhanit (lule erëkëndëse) të tij, radijall-llahu anhuma, transmetohet se ka thënë:

“Kam mbajtur në mend nga i Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem:

‘Lëre atë që të duket e dyshimtë, kurse pranoje atë që nuk të duket e dyshimtë.’”

(Tirmidhiu dhe Nesaiu) (Tirmidhiu ka thënë: “Ky është hadith hasen sahih”)

Nga Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Zotit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

‘Nga islami i mirë i një njeriu është largimi nga ajo që nuk i intereson.’”

(Tirmidhiu dhe të tjerët transmetojnë se ky është hadith hasen)

Nga Ebu Hamza Enes ibn Maliku, radijall-llahu anhu, shërbyesi i të Dërguarit të All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, transmeton se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Nuk do të jetë besimtar (mu’min) askush nga ju, deri sa të mos i dëshirojë vëllaut të tij atë çka i dëshiron vetes.”

(Buhariu dhe Muslimi)

Nga Ibni Mes’udi, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

‘Nuk është e lejuar derdhja e gjakut të një muslimani, përveç në tri raste: 1. prostitucioni i vonshëm (personi njëherë i martuar), 2. shpirti për shpirt (koka për kokë), 3. dhe ai i cili e lë fenë e tij dhe e lë bashkësinë e tij.’”

(Buhariu dhe Muslimi)

Nga Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, transmetohet se i Dërguari i All-llahut ka thënë:

“Kush e beson All-llahun dhe Ditën e Mbramë, le të flasë mirë ose të heshtë; dhe kush beson në All-llahun dhe Ditën e Mbramë, le të nderojë fqinjin e tij; dhe kush beson në All-llahun dhe Ditën e Mbramë, le të nderojë mysafirin e tij.”

(Buhariu dhe Muslimi)

Nga Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, transmetohet:

“Një njeri i tha të Dërguarit të All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem:

‘Më këshillo.’

I Dërguari tha: ‘Mos u zemëro!’

Ky e përsëriti pyetjen disa herë, dhe i Dërguari sërish tha: ‘Mos u zemëro!’”

(Buhariu)

Nga Ebu Ja’la Sheddad ibn Eusi, radijall-llahu anhu, transmetohet se i Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Vërtet All-llahu e ka bërë obligim mirësjelljen ndaj çdo gjëje:

Kur të mbytni (p.sh. armikun), mbytni në mënyrën më të mirë;
kur të therrni, therrni në mënyrën më të mirë;
mprehni thikat që t’ia lehtësoni sakrificës suaj.”

(Muslimi)

Nga Ebu Dherr Xhundub ibn Xhunadeh dhe Ebu Abdurrahman Muadh ibn Xhebeli, radijall-llahu anhuma, transmetohet se i Dërguari i Zotit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Kije ndërmend All-llahun kudo që të jesh.

Pas të keqes pason e mira, ajo do ta fshijë të keqen.

Dhe edukoj njerëzit me moral të mirë.”

(Transmeton Tirmidhiu, i cili thotë: ky është hadith hasen, kurse në disa përmbledhje të tjera është: hadith sahih)

Nga Ebu’l Abbas Abdullah ibn Abbasi, radijall-llahu anhuma, transmetohet se ka thënë:

“Një ditë kam qenë pas të Dërguarit të All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe më tha:

‘O djalosh, do t’i mësoj disa fjalë:
Kije ndërmend All-llahun — All-llahu do të ruajë ty.
Kije ndërmend All-llahun — All-llahun do ta gjejsh para vetes.
Kur të kërkosh, kërko prej All-llahut.
Nëse kërkon ndihmë, kërko prej All-llahut.

Dije: sikur tërë populli të tubohej që të të ndihmojë në diçka, nuk do të të ndihmonin përveç asaj që të ka caktuar All-llahu.
E sikur të tubohej për të të dëmtuar, nuk do të të dëmtonin përveç asaj që All-llahu tashmë të ka caktuar.

Janë ngritur lartë pendat dhe janë tharë faqet — çdo gjë është caktuar dhe mbaruar.’”

(Tirmidhiu, i cili thotë: hadithi hasen sahih)

Në transmetimet tjera: “Kije ndërmend All-llahun — do ta gjejsh para vetes. Njihe All-llahun në bollëk — Ai do të njohë ty në vështirësi. Dije se ajo që nuk të ka goditur, as që ka mundur të të godasë, e ajo që të ka goditur, nuk ka mundur të mos të godasë. Dije se ndihma është me durim, gëzimi me falënderim, dhe në çdo vështirësi ka lehtësi.”

Nga Ebu Mes’ud Ukbe Amr el-Ensarij el-Bedrij, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë:

“Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

‘Vërtet, nga fjalët (urtitë) që bota i ka mbajtur mend nga predikimet e pejgamberëve të mëparshëm është:

“Kur nuk turpërohesh, atëherë vepro ç’të duash.”’

(Buhariu)

Nga Ebu Amri — dhe disa thonë Ebu Amrete — Sufjan ibn Abdullahu, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë:

“Thashë: ‘O Resulull-llah! Më thuaj për Islamin atë për çka nuk do të kem nevojë të pyes askënd përveç teje.’

Ai tha: ‘Thuaj: ‘E besoj All-llahun’, pastaj vazhdo me ngulmë në këtë!’”

(Muslimi)

Nga Ebu Abdullah Xhabir ibn Abdullah el-Ensarij, radijall-llahu anhuma, transmetohet:

“Një njeri e pyeti Resulull-llahun, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe tha: ‘Ç’mendon, nëse i fal namazet e obliguara, agjëroj Ramazanin, përmbahem ndaj të lejuarave dhe braktis të ndaluarat, pa bërë asgjë më shumë – a do të hyjë në xhennet?’

I Dërguari, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tha: ‘Po!’”

(Muslimi)

Nga Ebu Malik el-Harith ibn Asim el-Esh‘arij, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë:

“Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

‘Pastërtia është gjysma e besimit.
Falënderimi i All-llahut (al-hamdu lillah) e përmbush matësen (mizanin).
Lavdimi dhe falënderimi i All-llahut (subhanallahī wa-l-hamdu lillah) e përmbushin hapësirën ndërmjet qiellit dhe tokës.
Namazi është dritë.
Sadaka është dëshmi.
Durimi është shkëlqim.
Kurse Kur’ani është dëshmi e sigurt për ty apo kundër teje.
Çdokush e fillon ditën e tij dhe çdonjëri është tregtar i shpirtit të tij; mund ta çlirojë apo ta sjellë në shkatërrim.’”

(Muslimi)

Nga Ebu Dherr el-Gafariu, radijall-llahu anhu, transmetohet se Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i është transmetuar nga Krijuesi i Tij, i Fuqishmi dhe i Madhërishmi, i cili ka thënë:

“O robët e Mi! Unë ia kam ndaluar dhunën Vetes dhe e kam ndaluar edhe ndër ju, prandaj mos i bëni dhunë njëri-tjetrit.

O robët e Mi! Të gjithë ju jeni të lajthuar, përveç atij që e përudhi Unë, prandaj kërkoni udhëzime nga Unë, do t’ju përudhë.

O robët e Mi! Të gjithë ju jeni të uritur, përveç atij që e ushqej Unë, prandaj kërkoni t’ju ushqej, do t’ju ushqej.

O robët e Mi! Të gjithë ju jeni të zhveshur, përveç atij që e veshi Unë, prandaj kërkoni veshje nga Unë, do t’ju veshi.

O robët e Mi! Vërtet ju gaboni natën dhe ditën, kurse Unë i fali të gjitha mëkatet, prandaj kërkoni nga Unë falje, do t’ju fali.

O robët e Mi! Ju kurrë nuk mund të arrini tek ajo që dëm do të Më shkaktonit, as tek ajo që dobi do të Më sjellnit.

O robët e Mi! Sikur i pari nga ju dhe i fundit nga ju, njerëzit dhe xhinnët, të ishin të devotshëm si zemra më e mirë e njërit, kjo nuk do ta ndryshonte sundimin Tim.

O robët e Mi! Sikur ata të ishin të prishur si zemra më e prishur e njërit, kjo nuk do ta ndryshonte sundimin Tim.

O robët e Mi! Sikur të qëndronit në një vend dhe t’i drejtonit lutjet Të Mua, e Unë t’u përgjigjesha çdo lutjeje, kjo nuk do të ndryshonte asgjë më shumë se gjilpëra në det.

O robët e Mi! Çdo gjë varet nga veprat tuaja, të cilat Unë i kam të shkruara dhe të llogaritura; kush gjen mirë, le ta falënderojë All-llahun; kush gjen të kundërtën, mos ta fajësojë askënd përveç vetvetes.”

Nga Ebu Dherri, radijall-llahu anhu, gjithashtu transmetohet:

“Disa shokë të Resulull-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i thanë Pejgamberit:

‘O Resulull-llah, pasanikët na tejkaluan dhe mblodhën të gjitha shpërblimet; falen sikur falemi ne, agjërojnë sikur agjërojmë ne, dhe ndajnë sadakë nga pasuria më e vlefshme e tyre.’

Resulull-llahu tha:

‘A nuk ua ka mundësuar All-llahu xhel-le shanuhu edhe juve që të ndani sadakë? Vërtet, në çdo tesbih (subḥānallāh) ka sadakë; në çdo tekbir (Allāhu akbar) ka sadakë; në çdo tahmid (al-ḥamdu lillāh) ka sadakë; në çdo tahlil (lā ilāha illallāh) ka sadakë; edhe në urdhërimin e të mirës ka sadakë; edhe në ndalimin e të keqes ka sadakë; dhe në kënaqjen e epsheve (në hallall) ka sadakë.’

Ata thanë: ‘O i Dërguari i Zotit, a thua edhe kur ndonjëri prej nesh kënaq epshet e veta me atë që është e lejuar, edhe për këtë ka shpërblim?’

Resulull-llahu tha:

‘Ç’mendon? Sikur ta kënaqë epshin në mënyrë të ndaluar, nuk do të bënte mëkat? Për më tepër, kur ta kënaqë në mënyrë të lejuar, do të ketë shpërblimin.’”

(Muslimi)

Nga Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë:

“Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

‘Në çdo nyje të njeriut ka sadakë çdo ditë në të cilën lind dielli;
të pajtosh dy vetë është sadakë;
të ndihmosh njeriun të hipë në kafshën e tij që ta bartë ose ta ngrejë barrën e tij është sadakë;
fjala e mirë është sadakë;
çdo hap që shpie kah namazi është sadakë;
të largosh pengesën nga rruga është sadakë.’

(Buhariu dhe Muslimi)

Nga en-Nevvas ibn Sem‘ani, radijall-llahu anhu, transmetohet se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Mirësia është morali (karakteri) i mirë, kurse e keqe (mëkat) është çka mbillet (përforcohet) në veten tënde dhe nuk dëshiron që këtë ta dijnë njerëzit.”

(Muslimi)

Kurse nga Vabisete ibn Ma‘bedi, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë:

“‘Më ke ardhur të pyesish se ç’është mirësia?’
Thashë: ‘Po!’

Resulull-llahu tha: ‘Pyete zemrën tënde! Mirësia është ajo me çka të është i kënaqur shpirti dhe me çka të është e kënaqur zemra.
Ndërsa mëkat është ajo që mbillet te njeriu dhe hamendet në krahëror, qoftë këta njerëz edhe ndryshe të thonë dhe përgjigjen.’”

(Hadithi hasen; e transmetuam nga musnedët e Ahmed ibn Hanbelit dhe Darimiut, me sened të besuar)

Nga Ebu Nexhih el-Irbad ibn Sarijeh, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë:

“Na ka këshilluar Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, me një vaz (këshillë) që na ndriçon zemrat dhe na përlot sytë. Ne i thamë:

‘O Resulull-llah, sikur kjo të jetë porosia jonë lamtumirëse, prandaj na porosit!’

Ai tha:
‘U porosisë juve devotshmëria ndaj All-llahut të Madhërishëm,
dëgjueshmëria dhe nënshtrueshmëria ndaj sunduesit, edhe sikur ai të ishte rob.

Vërtet, kush jeton nga ju do të shohë shumë kundërthënie.
Ju jeni të obliguar të ndiqni sunnetin tim dhe sunnetin e halifëve të drejtëudhëzuar.
Mirëmbani këto dhe ruajuni nga risitë (bid’atet) në fe,
sepse çdo bid’at është lajthitje.’”

(Davudi dhe Tirmidhiu, i cili thotë: ky është hadith hasen sahih)

Nga Muadh ibn Xhebeli, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë:

‘O Resulull-llah, më trego një punë që do të më shpie në xhennet, kurse do të më largoj nga zjarri.’

Ai tha: ‘Ke pyetur për një çështje të madhe, por që është e lehtë për atë që All-llahu ia lehtëson:
– Adhuroje All-llahun dhe mos i shoqëro asgjë; – kryeje namazin; – ndaje zekatin; – agjëroje Ramazanin; – vizitoje Ka’ben.’

Pastaj tha: ‘A dëshiron të të udhëzoj në dyert e dobisë? Agjërimi është mburojë; sadaka i anulon mëkatet sikur ujë që fik zjarrin; dhe namazi i natës është mbështetja më e fortë.’

Pastaj lexoi ajetin: “Ata ngriten nga shtretërit...” (es-Ṣajdah 32:16) deri tek fjala “ja‘malūn” (16-17).

Më pas tha: ‘A dëshiron të të tregoj kreun e çështjes, shtyllën e saj dhe kulminacionin e saj?’ Unë thashë: ‘Gjithçka, o Resulull-llah!’ Ai tha: ‘Kreu i çështjes është Islami; shtylla e tij është namazi; kurse kulminacioni i tij është xhihadi.’

Pastaj tha: ‘A dëshiron të të tregoj thelbin e gjithë kësaj?’ Unë u përgjigja: ‘Gjithçka, o Resulull-llah!’ Atëherë ai e kapërceu gjuhën e tij me gishtin e madh dhe tha: ‘Ruaje këtë.’

Unë thashë: ‘O Pejgamber i Zotit, a do të mbetemi përgjegjës edhe për këtë?’ Ai tha: ‘Të pastë nëna, o Muadh! A mendon që diç tjetër i mbush njerëzit me zjarr përveç gjuhëve të tyre të këqija?’”

(Tirmidhiu, i cili thotë se ky hadith është hasen sahih)

Nga Ebu Tha’leb el-Hushejnij Xhurthum ibn Nashiri, radijall-llahu anhu, transmetohet se Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Me të vërtetë All-llahu i madhëruar i ka bërë obligim fardet, dhe mos i lini pas dore.

E ka vendosur kufirin dhe mos e kaloni, i ka ndaluar disa gjëra dhe mos i thyeni.

Kurse i ka heshtur disa gjëra nga mëshira ndaj jush, e jo nga harresa— prandaj mos diskutoni për to.”

(Hadith hasen; Darekutni e të tjerë)

Nga Ebu Abbas Sehl ibn Sa’d Es-Sa’idij, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë:

“Erdhi një njeri te Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe tha: ‘O Resulull-llah, më përudhë në atë punë që, nëse e punoj, do të më dojë All-llahu dhe do të më duan njerëzit.’

Ai tha: ‘Mos e lakmo këtë botë—bëhu zahid në të, dhe All-llahu do të të dojë; kurse mos lakmo atë që do ta dëshirojnë njerëzit, dhe njerëzit do të të dëshirojnë ty.’”

(Ibn Maxheh dhe të tjerët me senede të besueshme)

Nga Ebu Seid Sa’d ibn Malik ibn Sina el-Hudarij, radijall-llahu anhu, transmetohet se Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Nuk ka dëm as të dëmtuar (reciprok).”

“Askujt nuk guxohet t’i shkaktohet dëm, as dëmi i shkaktuar të kthehet në të njëjtën mënyrë.”

(Hadithi hasen; transmetojnë Ibn Maxheh dhe Derekutnij dhe musnedet të tjera. Ky hadith transmetohet edhe nga Maliku në al-Muwatā si hadith mursel nga Amr ibn Jahja e babai i tij—zinxhir të transmetuesve më të fuqishëm se të tjerët.)

Nga Ibnu Abbasi, radijall-llahu anhuma, transmetohet se Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Sikur njerëzve t’u jipej ajo që kërkojnë, do të kishte asosh që kërkonin pasurinë dhe jetën e të tjerëve.

Mirëpo, ai që pohon është i obliguar të shtrojë dëshmi, kurse ai që mohon – betimin.”

(Hadith hasen; transmetojnë Bejhekiu dhe disa të tjerë në përmbledhjet e tyre)

Nga Ebu Seid el-Hudriu, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë:

“E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke thënë:

‘Kush nga ju sheh një të keqe— le ta ndryshojë me dorë;
e nëse nuk mundet, ta bëjë me gjuhën e tij;
e nëse nuk mundet as këtë, ta bëjë me zemrën e tij; por ky është imani më i dobët.’”

(Muslimi)

Nga Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë:

“Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

‘Mos ia kini xhelozinë njëri-tjetrit;
mos e mashtroni njëri-tjetrin;
mos u urreni;
mos ia ktheni njëri-tjetrit shpinën;
mos garoni në shitblerje;
dhe bëhuni robër të Zotit, vëllezër.

Muslimani është vëlla i muslimanit:
nuk i bën dhunë atij,
nuk e lë në baltë,
nuk e gënjen,
nuk e nënçmon.’

‘Takvallëku është këtu,’ dhe tregoi në kraharorin e tij tri herë.

‘Për një njeri është e keqe e mjaftueshme që ta nënçmojë vëllaun musliman.
Çdo musliman kundrejt çdo muslimani e ka haram: gjakun e tij, pasurinë e tij dhe nderin e tij.’”

(Muslimi)

Nga Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, transmetohet se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Kush ia largon besimtarit një brengë nga brengat e kësaj bote, All-llahu do ta largojë nga ai një brengë nga brengat e Ditës së Gjykimit.

Kush ia lehtëson atij që është në vështirësi, All-llahu do t’ia lehtësojë në këtë botë dhe në botën tjetër.

Kush ia mbulon të metën një muslimani, All-llahu do t’ia mbulojë në këtë botë dhe në botën tjetër.

All-llahu do t’i ndihmojë robit derisa ai të ndihmojë vëllain e vet.

Kush ndjek rrugën që i kërkon dituri, All-llahu do t’ia lehtësojë rrugën drejt Xhenetit.

Asnjëherë nuk do të tubohen në Shtëpinë e Zotit një grup njerëzish që lexojnë dhe studiojnë Kur’anin, e mbi ta të mos zbretë qetësia dhe mëshira, t’i rrethojnë engjëjt, dhe All-llahu t’i përmendë ndër të zgjedhurit e Tij.

Veprat e tij nuk do ta shtyjnë prapa dhe asgjë nuk do ta pengojë prejardhjen e tij.”

(Me këto fjalë e transmetoi Muslimi)

Nga Ibnu Abbasi, radijall-llahu anhuma, transmetohet se Resulull-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i është transmetuar nga Krijuesi i Tij i madhëruar, i cili ka thënë:

“Me të vërtetë All-llahu i ka shkruar veprat e mira dhe veprat e këqia. Pastaj ka shtuar: ‘Kush dëshiron të bëjë një vepër të mirë, por nuk e vepron, All-llahu tek ai do ta shkruajë si vepër të mirë të plotë. Por, kush dëshiron të bëjë një vepër të mirë dhe e bën, All-llahu do t’ia shkruajë dhjetë vepra të mira, deri në shtatëqind shpërblime dhe më shumë. Kush dëshiron të kryejë një vepër të keqe, por nuk e bën, All-llahu tek ai do ta shkruajë si vepër të mirë të plotë. Por, nëse dëshiron dhe e bën, All-llahu do t’ia shkruajë si një vepër të keqe.’”

(Me këto fjalë në Sahihët e tyre e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

Nga Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë:

“Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

‘Me të vërtetë All-llahu i madhëruar ka thënë:
“Kushdo që tregon armiqësi ndaj mikut (veliut) Tim, Unë do t’i shpall luftë.

Me asgjë robi Im nuk mund të Më afrohet, pos me atë që Unë e kam obliguar,
dhe vazhdimisht robi Im më afrohet me vepra fakultative (nafila) derisa të më dojë (sympatizojë).
E kur Unë e dua, dashuria e tij ndaj Meje mbizotëron.

Dëgjimi i tij është vetëm për Mua;
pamja e tij është vetëm për Mua;
dora e tij që kap punon vetëm për Mua;
këmba e tij që ecë ec vetëm për Mua.

Ai nëse më kërkon diçka, do t’ia jap;
e nëse kërkon mbrojtje prej Meje, do ta mbroj atë.”’”

(Buhariu)

Nga Ibnu Abbasi, radijall-llahu anhuma, transmetohet se Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Me të vërtetë All-llahu ummetit tim i falë:
– ato që bëhen duke gabuar pa qëllim,
– ato që bëhen nga harresa,
– dhe ato që bëhen nën presion (nga të detyruarit).”

(Hadithi hasen; e transmetojnë Ibnu Maxheh, Bejhekiu dhe të tjerët)

Nga Ibnu Umeri, radijall-llahu anhuma, transmetohet se ka thënë:

“Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, më kapi për krahu dhe tha:

‘Jeto në këtë botë si i huaj ose si udhëtar.’”

Kurse Ibnu Umeri, radijall-llahu anhuma, thoshte:

“Kur të ngrysesh, mos e pritë mëngjesin; por kur të zgjohesh, mos e pritë mbrëmjen.
Gjatë kohës së shëndetit përgatitu për sëmundje, dhe gjatë jetës përgatitu për vdekjen tënde!”

(Buhariu)

Nga Ebu Muhammed Abdullah ibn Amr el-Asi, radijall-llahu anhuma, transmetohet se ka thënë:

“Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

‘Askush nga ju nuk do të jetë besimtar i vërtetë, deri sa epshet e tij nuk e ndjekin atë çka unë kam sjellë.’”

(Hadithi hasen sahih; e kemi transmetuar nga libri “El-Huxhxheh” me sened korrekt)

Nga Enesi, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar Resulull-llahun, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke thënë:

‘All-llahu i madhëruar ka thënë:
“O biri i Ademit, derisa të thirresh (mbështetesh) te Unë dhe të kërkosh ndihmë nga Unë, do të falë çka ke vepruar.

O biri i Ademit, edhe sikur mëkatet e tua të ishin deri te yjet e qiellit, dhe nëse kërkon falje prej Meje, do të të fal.

O biri i Ademit, nëse vjen tek Unë me mëkate të mëdha si toka, pastaj më drejtohesh pa Më përshkruar asgjë, do të të fal po aq të mëdha.”’”

(Tirmidhiu, i cili thotë se ky është hadith hasen sahih)